Kalo në përmbajtjen kryesore
Fushat

Vlerësimi logopedik

Pikënisja e çdo trajtimi: një vlerësim i strukturuar i të folurit, gjuhës dhe komunikimit.

Vlerësimi logopedik është takimi në të cilin përcaktohet me saktësi çfarë e pengon komunikimin e një fëmije apo të rrituri - dhe çfarë funksionon mirë. Pa këtë hap, terapia do të ishte hamendje.

Në ORATIO vlerësimi nuk është një test i vetëm, por një vështrim i strukturuar mbi disa fusha njëherësh: shqiptimin e tingujve, fjalorin, ndërtimin e fjalive, të kuptuarit e gjuhës së folur, rrjedhshmërinë dhe përdorimin e gjuhës në situata reale.

Kur ka kuptim një vlerësim

  • Kur fëmija flet më pak sesa pritet për moshën e tij.
  • Kur shqiptimi nuk kuptohet nga persona jashtë familjes.
  • Kur fëmija nuk i ndjek udhëzimet e thjeshta.
  • Kur shfaqen përsëritje tingujsh apo fjalësh.
  • Kur një aftësi e fituar më parë humbet.
  • Kur mësuesi ose edukatorja shpreh një shqetësim.
  • Kur te i rrituri të folurit ndryshon pas një dëmtimi neurologjik.

Nuk është nxitim

Prindërit shpesh presin, sepse dëgjojnë se “do t'i vijë me kohë”. Ndonjëherë vërtet i vjen. Por ndërhyrja e hershme është praktika e rekomanduar profesionalisht, dhe një vlerësim nuk detyron asgjë: ai jep një përgjigje të qartë se ku ndodhet fëmija.

Nëse vlerësimi tregon se zhvillimi është brenda pritjeve, e dini me siguri dhe kaq. Nëse tregon një vështirësi, ka nisur puna në kohën e duhur.

Si zhvillohet vlerësimi

Vlerësimi nis me një bisedë me prindin: historiku i zhvillimit, shqetësimi konkret, si komunikon fëmija në shtëpi dhe në kopsht. Ky informacion është pjesë e vlerësimit, jo formalitet.

Pastaj punohet drejtpërdrejt me fëmijën, përmes aktiviteteve dhe materialeve të përshtatura për moshën. Fëmija nuk “testohet” në kuptimin e tensionuar të fjalës - ai luan, tregon, emërton dhe bisedon, dhe nga kjo lexohet niveli i tij.

Çfarë vjen pas vlerësimit

Në fund të vlerësimit prindi merr një pasqyrë të qartë: çfarë u vërejt, çfarë do të punohet dhe me çfarë radhë. Nga kjo ndërtohet plani individual i trajtimit, me objektiva konkrete.

Kohëzgjatja dhe frekuenca e seancave përcaktohen pas vlerësimit, sepse varen nga natyra e vështirësisë dhe nga ritmi i personit. Kjo nuk mund të premtohet paraprakisht.

Roli i prindit

Prindi është burimi më i mirë i informacionit për fëmijën dhe, më vonë, partneri kryesor i terapisë. Prania dhe vëzhgimi i prindit gjatë vlerësimit ndihmon, sepse ushtrimet vazhdojnë edhe në shtëpi.

Pyetje të shpeshta

Sa zgjat vlerësimi i parë?
Kohëzgjatja varet nga mosha e fëmijës dhe nga fushat që duhen shikuar. Kur caktojmë terminin me telefon ose WhatsApp, e dini paraprakisht sa kohë duhet të parashikoni.
A duhet të sjell dokumente mjekësore?
Nëse ekzistojnë raporte të mëparshme - audiometri, vlerësime nga specialistë të tjerë, raporte nga kopshti ose shkolla - sillni çfarë kini. Ato e shkurtojnë rrugën.
A nis terapia në të njëjtin takim?
Jo. Vlerësimi vjen i pari, sepse plani i trajtimit ndërtohet mbi bazën e tij. Terapia nis pasi objektivat janë të përcaktuara.

Hapi i parë është një bisedë.

Rezervoni konsultën e parë ose shkruani për të pyetur. Përgjigjemi në WhatsApp dhe me telefon.