Kalo në përmbajtjen kryesore
Fushat

Disleksia dhe vështirësitë në të nxënë

Ndërhyrje për disleksinë, disgrafinë dhe diskalkulinë - lexim, shkrim dhe aftësi gjuhësore.

Vështirësitë specifike në të nxënë shfaqen kur fëmija ka aftësi të përgjithshme në përputhje me moshën, por lufton në një fushë të caktuar: leximin (disleksia), shkrimin (disgrafia) ose llogaritjen (diskalkulia).

Këta fëmijë shpesh mbajnë etiketa të gabuara - “dembel”, “i pavëmendshëm”, “nuk përpiqet” - ndërsa vështirësia është reale dhe e trajtueshme. Sa më shpejt të identifikohet, aq më e lehtë është të ndërhyhet para se t'i shtohet edhe humbja e vetëbesimit.

Çfarë vërejnë prindërit dhe mësuesët

  • Leximi është i ngadalshëm, me ndërprerje dhe me shumë gabime.
  • Fëmija ngatërron shkronja të ngjashme në formë ose në tingull.
  • Lexon fjalën duke hamendësuar nga fillimi i saj.
  • Nuk e mban mend çfarë lexoi.
  • Shkrimi është i vështirë të lexohet, me shkronja të harruara apo të ndërruara.
  • Gabimet e drejtshkrimit përsëriten edhe pas ushtrimit të gjatë.
  • Ka vështirësi me numrat, me radhën e tyre dhe me llogaritjen.
  • Detyrat e shtëpisë zgjatin pa masë dhe përfundojnë me lot.
  • Fëmija shmang leximin me zë në klasë.

Kur duhet kërkuar ndihmë

Në klasat e para gabimet janë normale, sepse fëmija po mëson. Ajo që e ndan vështirësinë specifike është qëndrueshmëria: gabimet përsëritën në të njëjtën mënyrë dhe nuk zhduken pas ushtrimit të vazhdueshëm.

Kur mësuesja shpreh një shqetësim, kur fëmija po e humb dëshirën për shkollën, ose kur mundi që bën nuk përkthehet në rezultat, është momenti i vlerësimit.

Si bëhet vlerësimi

Vlerësimi shikon themelet gjuhësore mbi të cilat ngrihet leximi: si i dallon fëmija tingujt brenda fjalës, si i lidh shkronjat me tingujt, sa shpejt dhe sa saktë lexon, dhe sa kupton nga ajo që lexoi.

Vlerësohen ndaras saktësia, shpejtësia dhe kuptimi, sepse një fëmijë mund të lexojë saktë dhe të mos kuptojë, ose të kuptojë dhe të lexojë shumë ngadalë. Plani i ndërhyrjes ndryshon sipas kësaj.

Si zhvillohet ndërhyrja

Ndërhyrja nuk është përsëritje e detyrave të shkollës. Puna kthehet te themelet: vetëdija fonologjike, lidhja tingull-shkronjë, ndërtimi i rrjedhshmërisë, dhe strategjitë e të kuptuarit.

Paralelisht punohet edhe me strategjitë praktike që i lehtësojnë fëmijës punën në klasë, dhe me qëndrimin e tij ndaj leximit - sepse shumë nga këta fëmijë kanë ndërtuar bindjen se “nuk ia bëj”.

Roli i prindit

Prindi ka dy detyra që vlejnë më shumë sesa ushtrimi shtesë: rregullsia e punës së shkurtër ditore, dhe ruajtja e klimës pa presion. Fëmija me disleksi punon më shumë sesa shokët për të njëjtin rezultat, dhe kjo lodhje duhet njohur.

Bashkëpunimi me mësuesin ndihmon gjithashtu, sepse pjesa më e madhe e leximit ndodh në klasë.

Pyetje të shpeshta

Në çfarë moshe mund të vlerësohet disleksia?
Vështirësitë e leximit vlerësohen kur fëmija ka nisur mësimin formal të leximit. Por themelet gjuhësore që e paralajmërojnë vështirësinë mund të shikohen edhe më parë, në moshën parashkollore.
A kalon disleksia?
Disleksia nuk “kalon” si një sëmundje kalimtare, por me ndërhyrje të përshtatshme fëmija mëson të lexojë dhe të përballojë shkollën me sukses. Objektivi është funksionimi, e jo zhdukja e vështirësisë themelore.
Fëmija shkruan shkronjat mbrapsht. A është shenjë e disleksisë?
Në klasat e para kjo është e shpeshtë dhe shpesh kalimtare. Bëhet shqetësuese kur qëndron pas periudhës kur pritet të rregullohet, ose kur shoqërohet nga vështirësi të tjera të leximit dhe shkrimit.

Hapi i parë është një bisedë.

Rezervoni konsultën e parë ose shkruani për të pyetur. Përgjigjemi në WhatsApp dhe me telefon.