Kjo është pyetja që na bëhet më shpesh, dhe pothuajse gjithmonë vjen pas një periudhe pritjeje. Prindi ka dëgjuar se “djali flet më vonë”, se “gjyshi i tij nuk foli deri në tre vjeç”, se “do t'i vijë”. Ndonjëherë vërtet i vjen. Problemi është se nga jashtë ky rast nuk dallohet nga rasti që kërkon ndihmë.
Çfarë pritet rreth moshës dy vjeç
Në zhvillimin e gjuhës ka një hapësirë të gjerë të normales, dhe dy fëmijë të shëndetshëm mund të ecin me ritme të ndryshme. Për këtë arsye asnjë tabelë nuk zëvendëson vlerësimin. Por ka disa pika orientuese që prindi mund t'i vëzhgojë.
- A ka fëmija një fjalor që po rritet - jo sa fjalë ka, por a shtohen fjalë të reja nga muaji në muaj?
- A i lidh dy fjalë bashkë, si “baba hajde” apo “dua ujë”?
- A kupton udhëzime të thjeshta pa gjeste, si “merr topin”?
- A komunikon me ju edhe pa fjalë - tregon me gisht, jua sjell gjërat, ju kërkon me shikim?
- A i imiton tingujt dhe fjalët tuaja?
Kur nuk duhet pritur
Ka disa situata në të cilat vlerësimi nuk duhet shtyrë, pavarësisht moshës. Nëse fëmija ka humbur fjalë apo aftësi që i kishte më parë, kjo duhet vlerësuar pa pritur. Po ashtu nëse nuk reagon ndaj zërit dhe emrit të vet, ose nëse komunikimi jo-verbal - tregimi me gisht, kontakti me shikim, vëmendja e përbashkët - mangon plotësisht.
Këto themele jo-verbale kanë rëndësi më të madhe sesa numri i fjalëve, sepse mbi ato ndërtohet gjuha. Një fëmijë që komunikon gjallërisht pa fjalë ndodhet në pozitë të ndryshme nga një fëmijë që nuk komunikon fare.
Pse vlerësimi nuk është nxitim
Vlerësimi logopedik nuk e detyron familjen në terapi dhe nuk vendos etiketa. Ai jep një përgjigje të qartë për pyetjen që prindi po e mban në kokë prej mujash. Nëse zhvillimi është brenda pritjeve, e dini me siguri dhe kaq. Nëse ka një vështirësi, puna nis në kohën kur është më e efektshme - dhe ndërhyrja e hershme është praktika e rekomanduar profesionalisht.
Ajo që humbet me pritjen nuk është vetëm kohë. Është edhe periudha kur fëmija mëson më lehtë.
