Kalo në përmbajtjen kryesore

Çfarë është belbëzimi te fëmijët?

Si dallohet belbëzimi kalimtar nga ai që kërkon trajtim, dhe si duhet të reagojë familja.

4 min lexim · Msp. Festë Beqa

Belbëzimi është çrregullim i rrjedhshmërisë së të folurit. Fëmija e di saktësisht çfarë do të thotë, por të folurit ndërpritet: tingulli ose fjala përsëritet, një tingull zgjatet, ose fjala bllokohet dhe nuk del.

Dy gjëra duhen thënë menjëherë, sepse qarkullojnë si besime të gabuara. Belbëzimi nuk vjen nga nervozizmi i familjes, dhe nuk është shprehje e ndrojtjes apo e inteligjencës së fëmijës.

Përsëritje kalimtare apo belbëzim?

Në një periudhë të zhvillimit, disa fëmijë kalojnë përsëritje fjalësh kur gjuha po zgjerohet më shpejt sesa aftësia për ta organizuar. Një pjesë e këtyre rasteve kalojnë vetë. Ajo që e ndan situatën kalimtare nga belbëzimi që kërkon punë nuk është vetëm kohëzgjatja.

  • Tensioni: fytyra, qafa apo trupi tensionohen gjatë të folurit.
  • Bllokimi: fjala nuk del fare, e jo vetëm përsëritet.
  • Shmangja: fëmija zëvendëson fjalët e vështira ose shmang të folurit.
  • Vetëdija: fëmija e vë re vështirësinë e vet dhe reagon ndaj saj.
  • Kohëzgjatja: vështirësia po zgjat, e jo po zbutet.

Prania e tensionit, e bllokimit ose e vetëdijes së fëmijës është arsye për vlerësim pa pritur. Reagimi emocional i fëmijës ndaj vështirësisë së vet është shenja që nuk duhet nënçmuar.

Si duhet të reagojë familja

Mënyra se si reagon familja ka peshë reale në rrjedhën e mëtejshme. Ka disa gjëra që ndihmojnë dhe disa që rëndojnë.

  • Flitni më ngadalë dhe pa nxitim - modeli vlen më shumë sesa udhëzimi.
  • Lëri fëmijës kohë të mbarojë; mos i plotësoni fjalinë.
  • Mos i thoni “qetësohu”, “merr frymë” apo “thuaj prapë”.
  • Mbani kontaktin me shikim dhe qetësinë në fytyrë ndërsa ai lufton me fjalën.
  • Zvogëloni pyetjet e njëpasnjëshme dhe presionin për të folur para të tjerëve.

Trajtimi

Belbëzimi trajtohet, te fëmijët dhe te të rriturit. Në ORATIO përdoret metoda holistike e Profesor Kaçkës (HMK), për të cilën ordinanca është e licencuar. Qasja holistike punon njëkohësisht me teknikën e të folurit dhe me anën emocionale të përjetimit.

Rezultati varet nga natyra e rastit, mosha dhe vazhdimësia në punë, dhe për këtë arsye nuk premtohet paraprakisht. Luhatja gjatë trajtimit është pjesë e procesit, nuk është dështim.

Hapi i parë është një bisedë.

Rezervoni konsultën e parë ose shkruani për të pyetur. Përgjigjemi në WhatsApp dhe me telefon.